Kapitulli 1: Përmbytja e Nuhut
Ne e dërguam Nuhun te populli i tij. Ai qëndroi mes tyre një mijë pa pesëdhjetë vjet dhe tufani i përmbyti ata, sepse ishin keqbërës.(Al-Ankabut: 14)
Duke iu referuar pothuajse të gjitha kulturave, përmbytja e Nuhut (Noes) është një nga ngjarjet më të njohura, e cila trajtohet gjerë e gjatë në Kuran. Mospërfillja e popullit të profetit Nuh, reagimi dhe mënyra si rodhën ngjarjet tregohen me hollësi në shumë ajete të Kuranit.
Profeti Nuh ishte dërguar të paralajmëronte popullin e tij, i cili kishte devijuar nga rruga e drejtë, duke adhuruar idhujt dhe duke mos iu bindur urdhrave të Allahut. Edhe pse Nuhu e këshilloi shumë herë popullin e tij dhe e paralajmëroi atë për një ndëshkim të rreptë, ai vazhdoi rrugën e mosbindjes dhe idhujtarisë. Ja si është përshkruar ngjarja në suren El-Mu'minun:
Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dh ai u tha: "O populli im, adhurojeni Allahun! Ju s'keni të adhuruar të vërtetë tjetër veç Tij. A nuk frikësoheni (prej dënimit)?"
Por prijësit e mosbesimtarëve nga populli i tij thanë: "Ai është një njeri i thjeshtë si ju që kërkon të qëndrojë më lart se ju. Po të dëshironte Allahu do të kishte dërguar engjëj. Ne kurrë nuk kemi dëgjuar një gjë të tillë nga të parët tanë.
Ai është një njeri i çmendur, kështu që pritni edhe pak kohë." Nuhu u lut: "Zoti im, më ndihmo, sepse ata po më përgënjeshtrojnë." ! (El-Muminun: 23-26)
Siç tregohet nga ajetet, paria e popullit e akuzoi profetin Nuh se qëllimi i tij ishte fitimi i pozitës, pushtetit dhe pasurisë. Gjithashtu, ata u munduan të provojnë se atij i ishte bërë magji dhe vendosën ta duronin për një farë kohe, duke e mbajtur vazhdimisht nën presion.
Allahu i tregoi të dërguarit Nuh se ata që refuzuan besimin dhe vazhdonin të bënin vepra të këqija do të ndëshkoheshin, duke u përmbytur, kurse besimtarët do të shpëtonin.
Dhe me të vërtetë, kur koha e ndëshkimit erdhi, sasi të mëdha ujërash të furishëm vërshuan nga toka dhe, bashkë me shirat e rrëmbyeshëm, shkaktuan një përmbytje të madhe. Allahu i tha Nuhut: "… Hipni në anije një çift (mashkull dhe femër) nga çdo lloj, si dhe familjen tënde, përveç atyre ndaj të cilëve Fjala tashmë është vendosur…" Të gjithë njerëzit e atij vendi, me përjashtim të besimtarëve që hipën në anije me profetin Nuh, u mbytën në ujë, duke përfshirë edhe djalin e Nuhut, i cili mendoi se mund të shpëtonte duke hipur në një mal aty pranë. Kur ujërat u pakësuan dhe mori fund gjithçka, anija ndaloi në Xhudij, d.m.th., në një vend të lartë, siç na njofton Kurani.
Studimet arkeologjike, gjeologjike dhe historike tregojnë se kjo ngjarje ka ndodhur me të vërtetë siç është treguar në Kuran. Përmbytja është përshkruar në mënyrë të ngjashme në shumë gojëdhëna të qytetërimeve të hershme dhe në shumë dokumente historike. Megjithëse karakteri dhe emrat e vendeve ndryshojnë, gjithçka sa ndodhi i paraqitet njerëzve të kohës së sotme si një paralajmërim që vjen nga lashtësia.
Përveç Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së Re, përshkrimi i përmbytjes është treguar në mënyrë të ngjashme në dokumentet sumeriane dhe asiro-babilonase, në legjendat greke, në epikat indiane të Shatapathës, Brahmës dhe Mahabharatës, në disa legjenda të Uellsit, në Edan Veriore, në legjendat lituaneze, bile edhe në disa histori tradicionale kineze.
Si ka mundësi që një informacion i tillë kaq i detajuar që përshkruan të njëjtën ngjarje të mblidhet nga vende me kultura të ndryshme, të cilat janë mjaft larg si nga njëra-tjetra, ashtu dhe nga vendi i përmbytjes?
Përgjigja është e qartë. Fakti që e njëjta ngjarje është treguar në rrëfimet dhe shkrimet e të gjithë këtyre popujve, të cilët kanë pasur shumë pak mundësi komunikimi ndërmjet tyre, është një provë e qartë se këta popuj e morën njohurinë nga një burim hyjnor. Me sa duket, përmbytja, e cila konsiderohet si një nga katastrofat më të mëdha dhe më shkatërruese në histori, është rrëfyer nga shumë profetë që u dërguan në qytetërime të ndryshme me qëllim që të shërbente si shembull dhe mësim për ta. Në këtë mënyrë lajmi i përmbytjes u përhap në shumë kultura të ndryshme.
Edhe pse e transmetuar nga shumë kultura dhe burime fetare, historia e përmbytjes dhe e profetit Nuh është ndryshuar shumë dhe i është larguar versionit origjinal për shkak të falsifikimit të burimeve dhe transmetimeve jo të sakta. Studimet tregojnë se, midis të gjitha rrëfimeve për përmbytjen, i vetmi përshkrim i saktë është ai që ndodhet në Kuran.
Profeti Nuh dhe përmbytja në Kuran
Përmbytja e Nuhut është përmendur në shumë ajete të Kuranit. Më poshtë po citojmë ajetet sipas radhës kronologjike të ngjarjes.
Thirrja që profeti Nuh i bëri popullit të tij
Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe ai u tha: "O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni të adhuruar të vërtetë tjetër veç Tij. Unë kam frikë se do t'ju zërë ndëshkimi i një dite të madhe!" (El-A‘raf: 59)
Unë jam një i dërguar i besueshëm për ju. Kini pra, frikë Allahun dhe dëgjojini fjalët e mia. O populli im, unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim për mesazhin që ju transmetoj. Shpërblimin e kërkoj vetëm prej Atij që më krijoi mua. (Esh-Shuara: 107-110)
Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe ai u tha: "O populli im, adhuroni Allahun! Ju s'keni të adhuruar të vërtetë tjetër veç Tij. A nuk frikësoheni (prej dënimit)?" (El-Mu'minun: 23)
Paralajmërimi për ndëshkimin e Allahut
Ne e dërguam Nuhun te populli i tij (duke i thënë): "Këshilloje popullin tënd para se t'i vijë një ndëshkim i dhimbshëm." (Nuh: 1)
Do ta merrni vesh se mbi cilin do të vijë ndëshkimi poshtërues dhe mbi cilin do të bjerë dënimi i përjetshëm. (Hud: 39)
… mos adhuroni asgjë tjetër në vend të Allahut. Unë kam frikë se do t'ju zërë ndëshkimi i një dite të dhimbshme. (Hud: 26)
Refuzimi i popullit të Nuhut
Paria e popullit të tij i tha: "Ne mendojmë se po bën një gabim të qartë." (El-A‘raf: 60)
Ata i thanë: "O Nuh, ti ke polemizuar me ne dhe e zgjate shumë polemikën. Sille pra, dënimin me të cilin na kërcënove, nëse thua të vërtetën." ( Hud: 32)
Sa herë që prijësit e popullit të tij kalonin pranë tij, ndërsa ndërtonte anijen, talleshin me të dhe e vinin në lojë. Ai u tha: "Nëse talleni me ne, po kështu do të tallemi edhe ne me ju, siç po talleni tani." (Hud: 38)
Por prijësit e mosbesimtarëve nga populli i tij thanë: "Ai është një njeri i thjeshtë si ju që kërkon të qëndrojë më lart se ju. Po të dëshironte Allahu, do të kishte zbritur engjëj. Ne kurrë nuk kemi dëgjuar një gjë të tillë nga të parët tanë. Ai është një njeri i çmendur, kështu që prisni edhe pak kohë." (El-Mu'minun: 24-25)
Populli i Nuhut e përgënjeshtroi të dërguarin më parë. Ata e mohuan robin Tonë, e tallën, e kërcënuan dhe e quajtën të çmendur. (El-Kamer: 9)
Mospërfillja e jobesimtarëve ndaj besimtarëve
Paria jobesimtare e popullit të tij tha: "Ne shohim se ti je një njeri i thjeshtë si ne, përveç kësaj, rrugën tënde e ndjekin vetëm njerëzit e parëndësishëm e të ulët. Pastaj ne nuk shohim se ju keni ndonjë meritë ndaj nesh, përkundrazi ne ju konsiderojmë gënjeshtarë." (Hud: 27)
Jobesimtarët i thanë: "Mos vallë duhet të të besojmë, kur ty të ndjekin vetëm më të dobëtit?" Ai u tha: "Unë nuk e di se ç'bënin ata të cilët ju i quani të dobët? Llogaria e tyre është në dorën e Zotit tim, nëse kuptoni. Unë nuk mund t'i largoj besimtarët, sepse jam vetëm një paralajmërues që ka ardhur për t'ju tërhequr vërejtjen haptazi." (Esh-Shuara: 111-115)
Allahu e këshillon Nuhun të mos mërzitet
Kështu Nuhut iu shpall: "Askush nuk do të besojë nga populli yt, përveç atyre të cilët tashmë kanë besuar, kështu që nuk ka pse të të vijë keq për çka vepruan ata." (Hud: 36)
Lutjet e profetit Nuh
"Atëherë pra, gjyko Ti (o Allah) mes meje dhe tyre dhe më shpëto mua bashkë me besimtarët." (Esh-Shuara: 118)
Pastaj ai e luti Zotin e tij (duke thënë): "Unë jam i pafuqishëm, ndaj më ndihmo!" (El-Kamar: 10)
Ai tha: "O Zoti im, unë e ftova popullin tim natë e ditë, por gjithë thirrja ime nuk solli gjë tjetër veç largimit të tyre (nga e vërteta)." (Nuh: 5-6)
Ai tha: "O Zoti im! Më ndihmo, sepse ata më mohojnë." (El-Muminun: 26)
Nuhu na u lut dhe vërtet Ne jemi më të mirët për t'iu përgjigjur lutjes. (Es-Saffat: 75)
Ndërtimi i anijes
Ndërtoje anijen nën mbikqyrjen dhe frymëzimin Tonë dhe mos m'u lut për ata që bënë padrejtësi dhe humbën. Nuk ka dyshim se ata do të mbyten. (Hud: 37)
Shkatërrimi i popullit të profetit Nuh nga përmbytja
Ata e përgënjeshtruan Nuhun, por Ne e shpëtuam atë bashkë me ndjekësit e tij në anije dhe i përmbytëm ata që mohuan shenjat Tona. Vërtet ata ishin një popull i verbuar. (El-A‘raf: 64)
Më pas Ne i fundosëm të tjerët (mosbesimtarët)." (Esh-Shuara: 120)
Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe ai qëndroi mes tyre një mijë pa pesëdhjetë vjet dhe tufani i përmbyti, sepse ishin keqbërës. (El-Ankabut: 14)
Vdekja e "djalit" të profetit Nuh
Kurani tregon një dialog midis Nuhut dhe djalit të tij para se të fillonte përmbytja:
Kështu ajo lundroi mes valëve të mëdha si male, ndërsa Nuhu i thirri të birit që ishte ndarë veç: "O biri im! Eja në barkë me ne dhe mos u bëj prej mosbesimtarëve." I biri iu përgjigj: "Do të ngjitem në një mal dhe ai do të më shpëtojë nga uji." Nuhu i tha: "Sot nuk ka shpëtim nga urdhri i Allahut, përveç atyre që mëshiron Ai." Ndërkohë valët u futën mes tyre dhe ai u mbyt bashkë me të tjerët. ( Hud: 42-43)
Shpëtimi i besimtarëve prej përmbytjes
Ne e shpëtuam Nuhun bashkë me ata që ishin me të në barkën e ngarkuar.. (Esh-Shuara: 119)
Pastaj Ne e shpëtuam Nuhun bashkë me ata që ishin me të në anije, të cilën e bëmë argument dhe shenjë për të gjithë njerëzimin(El-Ankabut: 15)
Natyra fizike e përmbytjes
Kështu Ne hapëm portat e qiellit me ujë që derdhej me furi. Dhe bëmë që burimet të shpërthejnë nga toka. Kështu ujërat (e qiellit dhe të tokës) u takuan për një çështje të paracaktuar. Ne e mbartëm atë në anijen e ndërtuar me dërrasa e gozhdë. (El-Kamar: 11-13)
Kur erdhi urdhri ynë dhe nga furra doli ujë, Ne thamë: "Fut në anije një çift (mashkull dhe femër) nga çdo lloj, familjen tënde dhe besimtarët, përveç atyre për të cilët është marrë një vendim i përhershëm. Por, përveç një pakice, shumica nuk besoi." Nuhu u tha: "Hipni në anije! Me emrin e Allahut do të jetë lëvizja dhe ndalimi i saj. Vërtet Zoti im është gjithnjë Falës dhe Mëshirëplotë. Kështu ajo lundroi mes valëve të mëdha si male, ndërsa Nuhu i thirri të birit që ishte ndarë veç: "O biri im! Eja në anije me ne dhe mos u bëj prej mosbesimtarëve.(Hud: 40-42)"
Kështu Ne e frymëzuam atë (duke i thënë): "Ndërto anijen nën mbikqyrjen dhe frymëzimin Tonë. Pastaj, kur të vijë urdhri Ynë dhe kur nga furra të gurgullojë ujë, merr në anije një çift nga çdo lloj si edhe familjen tënde, përveç atyre për të cilët është marrë një vendim i përhershëm. Mos m'u lut për mbrojtje për keqbërësit, sepse ata do të mbyten." (El-Mu'minun: 27)
Qëndrimi i anijes në një vend të lartë
U tha: "O tokë, gëlltite ujin tënd! O qiell, pushoje shiun tënd!" Uji u ul dhe urdhri i Allahut u përmbush, ndërsa anija ndaloi në (malin) Xhudij. U tha: "I shkatërruar qoftë populli mizor!" (Hud: 44)
Paralajmërimi nëpërmjet përmbytjes
Kur uji u ngrit tej kufijve të tij, Ne ju mbartëm në anijen lundruese. Me qëllim që ta bëjmë atë kujtim për ju dhe të kuptojnë ata që dëgjojnë me vëmendje. (El-Hakkah: 11-12)
Lavdërimi i Allahut për profetin Nuh
Paqja qoftë mbi Nuhun në të gjithë botët! Sigurisht që kështu i shpërblejmë ata që punojnë punë të mira. Nuhu ishte me të vërtetë një nga robërit Tanë besimtarë. (Es-Saffat: 79-81)
Përmbytja ishte lokale apo globale?
Ata që mohojnë vërtetësinë e përmbytjes së Nuhut e justifikojnë qëndrimin e tyre duke thënë se një përmbytje e mbarë botës është e pamundur. Sipas tyre, të gjithë librat e shpallur, duke përfshirë dhe Kuranin, mbrojnë idenë e një përmbytjeje globale. Si rrjedhim këta libra janë të gabuar.
Ky trajtim si dhe vendosja e shenjës së barazimit midis Kuranit dhe librave të tjerë, psh, Pentateukut, është plotësisht e gabuar. Kurani u shpall nga Allahu dhe është i vetmi libër hyjnor i pandryshuar ndaj dhe në të nuk mund të ketë gabime. Ai e trajton përmbytjen nga një këndvështrim shumë i ndryshëm, në krahasim me Pentateukun apo legjendat e tjera të përmbytjes që transmetohen në kultura të ndryshme. Pentateuku, emri i pesë librave të parë të Dhiatës së Vjetër, pranon hapur se përmbytja ishte globale, pra, ajo përfshiu të gjithë botën. Kurani nuk e pohon diçka të tillë, përkundrazi, ajetet përkatëse të lënë të kuptosh se përmbytja ishte e pjesshme dhe nuk përfshiu të gjithë botën por vetëm popullin e Nuhut, i cili ishte paralajmëruar më parë për një dënim të tillë.
Kur shqyrtohen transmetimet e përmbytjes në Kuran dhe në Dhiatën e Vjetër, ndryshimi vihet re menjëherë. Dhiata e Vjetër e përshkruan fillimin e përmbytjes si vijon:
Zoti pa se paudhësia e njerëzve përmbi tokë ishte e madhe dhe se çdo mendim i zemrës së tyre nuk synonte tjetër, por që të bëjë vazhdimisht të keqen. Zotit i erdhi keq pse e krijoi njeriun përmbi tokë. I erdhi keq thellë në zemër e tha: "Do ta shuaj prej faqes së dheut njeriun që e krijova: njeriun, bagëtitë, zvarranikët edhe shpendët e qiellit – sepse po më vjen keq që i krijova." Porse Noehi gjeti hir para Zotit. (Gjeneza 6: 5-8)
Në Kuran tregohet fare qartë se nuk u shkatërrua e gjithë bota, por vetëm populli i Nuhut. Ashtu siç u dërgua Hudi te populli i Adit (Hud: 50), apo Salihu te populli i Themudit (Hud: 61), apo ashtu siç u dërguan të gjithë profetët e tjerë përpara Muhamedit te popujt e tyre, ashtu dhe Nuhu u dërgua vetëm te populli i tij, ndaj dhe përmbytja ishte ndëshkim vetëm për popullin e tij.
Por ata e përgënjeshtruan Nuhun, kështu që Ne e shpëtuam atë bashkë me ndjekësit e tij në anije dhe i mbytëm ata që mohuan shenjat Tona. Vërtet ata ishin një popull i verbuar. (Hud: 25-26)
Ata që u ndëshkuan ishin njerëz që nuk e përfillën mesazhin e profetit Nuh dhe nuk hoqën dorë nga rebelimi dhe mosbindja. Ajetet që përshkruajnë këtë ngjarje janë mjaft të qarta.
But they rejected him, and We delivered him, and those with him, in the Ark: but We overwhelmed in the flood those who rejected Our signs. They were indeed a blind people! (El-Araf: 64)
Ne me mëshirën tonë e shpëtuam atë Nuhun bashkë me besimtarët dhe i shkatërruam nga themelet ata që përgënjeshtruan argumentet Tona. Ata nuk ishin besimtarë. (El-Araf: 72)
Përveç kësaj, në Kuran, Allahu thekson se Ai kurrë nuk e ndëshkon një popull, derisa të dërgojë një profet tek ai. Pra, ndëshkimi vjen vetëm pasi një profet ka shkuar te një popull, edhe është përgënjeshtruar prej tij. Allahu thotë në suren El-Kasas:
Zoti yt nuk i shkatërron vendbanimet para se të dërgojë në qendrën e tyre një të dërguar që t'u lexojë atyre argumentet Tona. Ne i shkatërronim vendbanimet, vetëm atëherë kur banorët e tyre ishin keqbërës. (El-Kasas: 59)
Allahu nuk i shkatërron ata popuj, te të cilët Ai nuk ka dërguar një profet. Nuhu u dërgua për të paralajmëruar vetëm popullin e tij. Prandaj Allahu nuk kishte pse t'i shkatërronte popujt e tjerë, të cilëve nuk u kishte dërguar një paralajmërues, ndaj dhe dënimi i Tij goditi vetëm popullin e Nuhut.
Nga këto pohime të Kuranit, arrijmë në përfundimin se përmbytja e Nuhut ishte një katastrofë lokale dhe jo globale. Gërmimet arkeologjike të bëra në zonën ku mendohet se mund të ketë ndodhur përmbytja, të cilën do ta shqyrtojmë më poshtë, tregojnë që përmbytja nuk ishte një ngjarje globale që përfshiu gjithë planetin, por një katastrofë e gjerë që preku Mesopotaminë.
A u morën të gjitha kafshët në anije?
Komentatorët e Biblës besojnë se Nuhu mori në anije të gjitha llojet e kafshëve që ekzistonin në tokë, kështu që kafshët shpëtuan nga zhdukja falë ndërhyrjes së Nuhut. Sipas këtij mendimi, një çift nga të gjitha speciet e kafshëve që banonin në tokë u soll në bordin e anijes.
Ata të cilët pohojnë diçka të tillë, duhet të përballojnë vështirësi serioze në shumë drejtime. Si u morën kafshët në anije? Si u ushqyen? Si u vendosën në të? Si u izoluan nga njëra-tjetra? Këtyre pyetjeve është e pamundur t'u përgjigjesh. Për më tepër mbetet pyetja: Si u sollën të gjitha kafshët nga kontinentet e ndryshme? Gjitarët e poleve, kangurët e Australisë ose bizonët endemikë të Amerikës? Përveç kësaj, ka dhe shumë pyetje të tjera që kërkojnë përgjigje. Si u kapën kafshë shumë të rrezikshme si ato helmuese, gjarpërinjtë, akrepat etj, apo kafshët grabitqare si leopardët, luanët etj? Si u mbajtën ato larg prej instikteve të tyre natyrale deri në fund të përmbytjes? Pastaj si u gjend ushqimi për gjithë këto lloje kafshësh?
Këto janë pyetje me të cilat përballohet Dhiata e Vjetër. Në Kuran nuk ka asnjë pohim të tillë që të nënkuptojë se të gjitha llojet e kafshëve që ekzistojnë mbi tokë u morën në anije. Siç e thamë dhe pak më parë, përmbytja ndodhi në një zonë të caktuar, si rrjedhim, kafshët e marra në anije mund të ishin vetëm ato të cilat jetonin në atë zonë ku banonte populli i Nuhut.
Kuptohet që është e pamundur që të mblidhen të gjitha llojet e kafshëve, qofshin ato edhe vetëm të një zone. Është e vështirë të mendosh që Nuhu dhe numri i vogël i besimtarëve (Hud: 40) shkuan në të gjitha drejtimet për të mbledhur nga një çift prej qindra lloje kafshësh. Ishte e pamundur për ta të mblidhnin ekzemplarët e insekteve që jetonin në atë rajon dhe për më tepër të dallonin meshkujt nga femrat. Kjo është arsyeja përse ka shumë të ngjarë që kafshët e mbledhura të ishin ato të cilat mund të kapeshin dhe të mbaheshin më lehtë, prandaj ato duhet të ishin kafshë shtëpiake që ishin të dobishme veçanërisht për njeriun. Për profetin Nuh dhe besimtarët e paktë ishte më e përshtatshme të merrnin në anije kafshë të tilla si lopë, dele, kuaj, deve e kafshë të tjera shtëpiake të ngjashme me këto, sepse këto ishin kafshët më të dobishme që do të nevojiteshin për të organizuar një jetë të re në një zonë, e cila do të kishte humbur shumë prej botës shtazore për shkak të përmbytjes.
Këtu, pika më e rëndësishme që duhet të kuptojmë është se shkaku dhe urtësia e marrjes së kafshëve ishte mundësia e rinisjes së një jete të re dhe jo shpëtimi i tyre nga zhdukja. Kjo sepse përmbytja ishte rajonale dhe nuk kishte rrezik që të zhdukeshin përfundimisht llojet e kafshëve. Me kalimin e kohës, gjallesat e zonave të tjera emigruan dhe e ripopulluan vendin e përmbytjes duke i kthyer atij larminë që kishte përpara shkatërrimit.
Në çfarë lartësie u ngritën ujërat?
Një tjetër debat në lidhje me përmbytjen është lartësia e ngritjes së nivelit të ujërave. A u ngrit niveli aq shumë sa të mbulonte malet? Siç dihet, Kurani na informon se anija qëndroi në Xhudij pas përmbytjes. Fjala Xhudij në përgjithësi i referohet një vendi të lartë. Prandaj nuk duhet harruar se fjala Xhudij mund të jetë përdorur në Kuran jo për të treguar një emër specifik mali, por për të treguar se anija qëndroi në një vend të lartë.
Zona e përmbytjes së Nuhut
 |
Një ilustrim që paraqet përmbytjen e Nuhut.
|
Ultësira e Mesopotamisë është vendi ku mendohet se ka ndodhur përmbytja. Në këtë zonë kanë ekzistuar qytetërimet më të lashta të njohura në histori. Përveç kësaj, kjo zonë, duke qenë e vendosur midis lumenjve Tigër dhe Eufrat, është një vend i përshtatshëm gjeografikisht për një vërshim gjigand. Një nga faktorët ndihmues në realizimin e përmbytjes ka shumë mundësi të jetë dalja e këtyre dy lumenjve nga shtrati, duke përmbytur tërë zonën.
Arsyeja e dytë se përse kjo zonë shikohet si zona e përmbytjes janë të dhënat historike. Në shënimet e shumë qytetërimeve të rajonit janë gjetur prova, në të cilat flitet për një përmbytje që ka ndodhur në të njëjtën periudhë. Duke dëshmuar shkatërrimin e popullit të Nuhut, këto qytetërime duhet të kenë ndjerë nevojën për të përshkruar mënyrën se si ndodhi ky shkatërrim dhe pasojat që ai la. Është e ditur që pjesa më e madhe e legjendave mbi përmbytjen janë me origjinë mesopotamiane. Për ne janë më të rëndësishme zbulimet arkeologjike. Ato tregojnë se një përmbytje shumë e madhe ka ndodhur me të vërtetë dikur në këtë zonë. Ashtu siç do ta shqyrtojmë me hollësi në faqet që vijojnë, kjo përmbytje bëri që qytetërimi të mbetej pezull për një periudhë. Gjatë gërmimeve janë zbuluar gjurmë të dukshme të një shkatërrimi shumë të madh.
Gërmimet e bëra në Mesopotami tregojnë se, shumë herë gjatë historisë, ky rajon ka pësuar fatkeqësi të ndryshme si rezultat i vërshimeve dhe përmbytjeve të lumenjve Tigër dhe Eufrat. Psh, në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. në kohën e Ibisinit, sunduesit të popullit të madh të Urit, i vendosur në jug të Mesopotamisë, një prej viteve është shënuar si viti që "vinte pas përmbytjes që zhduku kufijtë midis qiellit dhe tokës".
1. Në vitin 1700 p.e.s., në kohën e Hamurabit Babilonian, një vit është shënuar si viti i "shkatërrimit të qytetit Eshnuna nga një vërshim".
Në shekullin X p.e.s., në kohën e sunduesit Nabu-mukin-apal, ndodhi një vërshim në qytetin e Babilonisë.
2 Në shekullin VII, VIII, X, XI dhe XII në rajon ndodhën një sërë përmbytjesh të konsiderueshme. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në 1925, 1930 dhe 1954.
3 Është e qartë se kjo zonë gjithmonë ka qenë objekt përmbytjesh dhe nuk është aspak çudi që një përmbytje masive të ketë shkatërruar një popull të tërë, ashtu siç përmendet në Kuran.
Provat arkeologjike të përmbytjes
Zone e Płrmbytjes
|
 |
1. Bagdadi 2. Babilonia
|
3. Tigri 4. Ultësira e Mesopotamisë
|
5. Eufrati 6. Uri 7. Persian Gulf
|
Sipas zbulimeve arkeologjike, përmbytja e Nuhut ka ndodhur në Ultësirën e Mesopotamisë, e cila atëherë kishte një formë të ndryshme nga e ajo e sotmja. Në diagramin e mësipërm, kufijtë e sotëm të Ultësirës janë shënuar me vijë të kuqe të ndërprerë. Sektori i madh që shtrihet midis vijës së kuqe ka qenë pjesë e detit në atë kohë.
|
Nuk është rastësi që pikërisht në kohën e sotme ne ndeshim gjurmët e shumicës së popujve, për të cilët në Kuran thuhet se janë shkatërruar. Dëshmitë arkeologjike pohojnë faktin se sa më befasisht të zhduket një komunitet, aq më e mundur është që ne të hasim në rrënojat e tij.
Në rastin e civilizimeve të zhdukura befasisht si pasojë e fatkeqësive natyrore, migrimit të papritur apo luftrave, gjurmët e tyre në shumicën e rasteve janë të ruajtura më mirë. Shtëpitë në të cilat jetonin njerëzit dhe veglat e punës të përdorura prej tyre në jetën e përditshme varrosen në tokë brenda një kohe të shkurtër. Kështu ato ruhen për një kohë të gjatë të paprekura nga dora e njeriut, duke siguruar prova të rëndësishme të së kaluarës.
Ja përse sot janë zbuluar shumë prova për përmbytjen e Nuhut. E menduar se ka ndodhur rreth mijëvjeçarit të tretë p.e.s., përmbytja shënoi fundin e rrufeshëm të një qytetërimi të tërë, i cili më vonë u zëvendësua nga një qytetërim tjetër. Kështu, evidenca të qarta për përmbytjen u ruajtën për mijëra vjet për të qenë provë dhe paralajmërim për ne.
Në lidhje me përmbytjen, e cila mbuloi Ultësirën e Mesopotamisë janë bërë shumë gërmime. Në to janë gjetur gjurmë të një përmbytjeje veçanërisht të madhe në 4 qytete kryesore. Këto qytete ishin më të rëndësishmet në Mesopotami. Ato ishin: Uri, Ereku, Kishi dhe Shurupaku.
Gërmimet e bëra tregojnë se të gjitha këto qytete u bënë objekt i një vërshimi rreth mijëvjeçarit të tretë p.e.s.
Në fillim le të hedhim një vështrim në gërmimet e bëra në qytetin e Urit.
Rrënojat më të vjetra të qytetërimit të zbuluara në gërmimet e bëra në këtë qytet, i cili në ditët tona quhet "Tel el-Mukkajar", e kanë fillimin rreth vitit 7000 p.e.s. Si një prej qyteteve, i cili ka qenë qendra e një prej civilizimeve më të hershme, qyteti i Urit ka qenë një vendbanim ku shumë kultura kanë pasuar njëra-tjetrën.
Zbulimet arkeologjike tregojnë se në qytetin e Urit civilizimi u ndërpre pas një përmbytjeje gjigande dhe më vonë u shfaq një civilizim i ri. R. H. Hall nga Muzeu Britanik ishte i pari që bëri gërmime në këtë qytet. Pas tij, gërmimet u vazhduan nën drejtimin e Leonard Woolley, i cili drejtonte një ekspeditë të ndërmarrë nga Muzeu Britanik dhe Universiteti i Pensilvanisë. Gërmimet e drejtuara prej tij, të cilat patën një efekt shumë të madh në të gjithë botën, zgjatën nga viti 1922 deri në 1934.
Këto gërmime u bënë në shkretëtirën midis Bagdadit dhe Gjirit Persik. Themeluesi i qytetit të Urit ishte një popull, i cili kishte ardhur nga Mesopotamia Veriore e që u vetëquajt Ubejdian. Në fillim, gërmimet kishin për qëllim mbledhjen e informacionit për këta njerëz. Gërmimet e Woolley janë përshkruar kështu nga arkeologu gjerman Werner Keller:
"Varret e mbretërve të Urit" – kështu i kishte pagëzuar Woolley, në çastet e para të entuziazmit, varret e fisnikëve sumerianë - madhështia mbretërore e të cilave doli në pah kur lopatat e arkeologëve ndeshën një grumbull dheu 50 këmbë të jug të tempullit dhe gjetën një varg të gjatë varresh shumë hijerëndë. Gropat e varreve prej guri ishin të mbushura me kupa të çmueshme, amfora dhe vazo me forma të mrekullueshme, mjete ngrënieje prej bronxi, mozaik perlash, gurë të çmuar me copa të vogla të shndritshme piriti etj. Trupat e tyre të shpërbërë ishin të rrethuar me argjend. Harpa dhe lira mbështeteshin në mur. "Gati menjëherë," – shkruante ai më vonë në ditarin e tij, – "zbulimet e bëra vërtetuan dyshimet tona. Menjëherë pas dyshemesë së një prej varreve të mbretërve ne gjetëm, nën një shtresë hiri, rrasa të shumta balte të mbuluara me simbole e gërma të një tipi shumë më të vjetër se ato të shkrimeve mbi varre. Duke gjykuar nga natyra e shkrimit rrasat u përkisnin viteve 3000 p.e.s. Ato ishin 2 - 3 shekuj më të hershme se varret."
Galeritë shkonin thellë e më thellë. Shtresa të reja me copa qypash, amforash dhe vazosh shfaqeshin. Ekspertët vunë re se qeramika kishte mbetur çuditërisht fare e pandryshuar. Ajo ishte njësoj si ato të gjetura në varret e mbretërve. Dukej se për shekuj, civilizimi sumerian nuk kishte pësuar ndryshime radikale. Sipas konkluzioneve të nxjerra, ata duhet të kishin arritur një nivel të lartë zhvillimi çuditërisht shumë herët.
Kur pas disa ditësh disa prej punëtorëve të Woolley e thirrën dhe i thanë: "Arritëm në nivelin e tokës", ai u lëshua në dyshemenë e galerisë për t'u kënaqur. Mendimi i parë i Woolley ishte: "Kaq ishte." Ishte rërë, rërë e pastër e një lloji të tillë që mund të depozitohej vetëm nga uji.
Ata vendosën të vazhdonin të gërmonin e ta bënin galerinë më të thellë. Lopatat venin thellë e më thellë, 3 këmbë, 6 këmbë, akoma baltë e pastër. Papritur në 10 këmbë shtresa e baltës u zhduk menjëherë, ashtu siç ishte shfaqur. Poshtë kësaj depozite balte, pothuajse 10 këmbë të trashë, ata kishin zbuluar prova të qarta të një vendbanimi njerëzor. Cilësia dhe pamja e qeramikës kishte ndryshuar në mënyrë të dukshme. Këtu ato ishin të bëra me dorë. Mbeturinat e metaleve nuk gjendeshin asgjëkundi. Veglat primitive që u shfaqën ishin bërë prej stralli të prerë. Duhet t'i përkisnin Epokës së Gurit.
Përmbytja – ky ishte i vetmi shpjegim i mundshëm i kësaj depozite gjigande balte poshtë kodrës së Urit, e cila ndau si me thikë dy epoka. Deti kishte lënë gjurmët e tij të qarta në mbetjet e organizmave të vogla detare të gjetura në baltë.4
Analizat mikroskopike treguan se kjo depozitë e madhe balte poshtë kodrës në Ur, ishte grumbulluar si rezultat i një përmbytjeje aq të madhe sa të zhdukte qytetërimin e lashtë sumerian. Epika e Gilgameshit dhe historia e Nuhut bashkoheshin në këtë galeri të thellë nën shkretëtirën e Mesopotamisë.
Max Mallowan i referohet mendimeve të Leonard Woolley, i cili thoshte se një masë e tillë kaq e madhe materiali të depozituar nga uji, e formuar në një periudhë kohe të vetme, mund të ishte vetëm rezultat i një përmbytjeje shkatërruese. Woolley, gjithashtu, e përshkruante shtresën që ndau qytetin sumerian të Urit nga qyteti i El-Ubejdit, banorët e të cilit përdornin qeramikë të pikturuar, si mbetje të përmbytjes.
5
Këto tregojnë se qyteti i Urit ishte një nga vendet e prekura nga përmbytja. Werner Keller ka theksuar rëndësinë e gërmimeve të lartpërmendura, duke thënë se sasia e rrënojave të qytetit nën një shtresë balte vërteton se në Mesopotami ka ndodhur një përmbytje.
6
Një tjetër qytet mesopotamian që mban gjurmët e përmbytjes është "Kishi i sumerianëve", i cili njihet tani si Tel El-Uheimer. Sipas burimeve të lashta sumeriane, ky qytet ishte "vendi i dinastisë së parë diluviane".
7
 |
1. Ultësira e Mesopotamisë 2.Civilizimet e periudhës pas përmbytjes
|
3. Shtresë balte 4. Civilizimet e periudhës para përmbytjes
|
Gërmimet e bëra nga Leonard Woolley në Ultësirën e Mesopotamisë nxorën në dritë ekzistencën e një shtrese balte 2.5 m të trashë. Kjo shtresë është formuar, me sa duket, nga materiali i transportuar nga ujërat e përmbytjes dhe është e vetme në të gjithë Botën.
|
Qyteti i Shurupakut në Mesopotaminë Jugore, i cili sot njihet si Tel Fe'reh, gjithashtu mbart gjurmë të dukshme të përmbytjes. Studimet arkeologjike në këtë qytet drejtoheshin prej Erich Schmidt, nga Universiteti i Pensilvanisë, në vitet 1920–1930. Këto gërmime zbuluan tre shtresa vendbanimi të shtrira në një distancë kohore që nga periudha parahistorike, deri në dinastinë e tretë të Urit (2112–2004 p.e.s.). Gjetjet më të qarta ishin rrënojat e shtëpive të mirëndërtuara dhe rrasat në formë pyke, në të cilat gjendeshin të shkruara shënime zyrtare si dhe lista fjalësh. Ato tregonin për një shoqëri shumë të zhvilluar që ka ekzistuar nga fundi i mijëvjeçarit të katërt p.e.s.
8
Çështja kryesore është se u kuptua që një shkatërrim i madh, si pasojë e një përmbytjeje, kishte ndodhur në këtë qytet rreth viteve 2900–3000 p.e.s. Sipas përshkrimit të Mallowan, 4–5 m nën tokë, Schmidt kishte ndeshur një shtresë dheu të verdhë (të formuar nga përmbytja) e përbërë nga një përzierje balte dhe rëre. Schmidt e përcaktoi këtë shtresë të përbërë nga balta dhe rëra, e cila kishte mbetur që nga mbretëria e lashtë e Semdet Nasr, si "rërë me origjinë nga lumi" dhe e lidhi këtë me përmbytjen e Nuhut.
9
Në gërmimet e bëra në qytetin e Shurupakut, u vu re se mbeturinat e përmbytjes i përkisnin përafërsisht viteve 2900-3000 p.e.s. Ndoshta qyteti i Shurupakut ka mundësi të ketë qenë po aq i prekur nga përmbytja sa edhe qytetet e tjera.
10
Vendi i fundit, i cili mendohet të ketë qenë i prekur nga përmbytja është qyteti i Erekut në jug të Shurupakut, i cili sot njihet si Tel El-Uerka. Edhe në këtë qytet, ashtu si në qytetet e tjera, është zbuluar një shtresë e përmbytjes. Kjo shtresë daton midis viteve 2900–3000 p.e.s., njësoj si të tjerat.
11
Siç dihet, lumenjtë Tigër dhe Eufrat ndajnë në mes Mesopotaminë nga njëri cep te tjetri. Duket se gjatë ndodhisë, këta dy lumenj dhe shumë burime të tjera uji, të mëdha e të vogla, vërshuan dhe, duke u bashkuar me ujin e shiut, shkaktuan një përmbytje të madhe. Ngjarja përshkruhet kështu në Kuran:
Ne hapëm portat e qiellit me ujë që derdhej me furi dhe bëmë që burimet të shpërthejnë nga toka. Kështu ujërat (e qiellit dhe tokës) u takuan për një çështje të paracaktuar. (El-Kamar: 11-12)
Kur faktorët që shkaktuan përmbytjen shqyrtohen një nga një, shihet se ato të gjitha duken si fenomene natyrale. Ajo që e bën të mbinatyrshme ngjarjen është se ato ndodhën në të njëjtën kohë dhe pikërisht pas paralajmërimit që Nuhu i bëri popullit të tij për afrimin e ndëshkimit.
Vlerësimi i provave të gjetura nga studimet e përfunduara, tregon se sipërfaqja e përmbytjes shtrihet afërsisht 160 km nga lindja në perëndim dhe 600 km nga veriu në jug. (Disa herë më e madhe se sipërfaqja e Shqipërisë. sh.r.) Kjo tregon se përmbytja përshiu gjithë Ultësirën e Mesopotamisë. Kur shqyrtojmë renditjen e qyteteve Ur, Erek, Shurupak dhe Kish, të cilat mbartin gjurmët e përmbytjes, shohim se ato ishin të rreshtuara në një drejtim. Prandaj, përmbytja duhet të ketë prekur këto katër qytete dhe rrethinat e tyre. Përveç kësaj, duhet të theksohet se rreth viteve 3000 p.e.s. struktura gjeografike e Ultësirës së Mesopatamisë ishte e ndryshme nga ç'është tani. Në atë kohë, shtrati i lumit Eufrat ishte më në lindje nga ç'është sot. Kjo vijë rrjedhjeje përputhet me vijën që kalon midis Urit, Erekut, Shurupakut dhe Kishit. Me hapjen e "burimeve të tokës dhe qiellit" duket se lumi Eufrat vërshoi dhe u përhap, duke shkatërruar kështu katër qytetet e përmendura më sipër.
Fetë dhe kulturat që përmendin përmbytjen
Përmbytja është bërë e njohur pothuajse në të gjithë njerëzimin nëpërmjet profetëve, të cilët thërrisnin njerëzit në fenë e vërtetë, por ajo u kthye në legjendë nga këta popuj duke u ndryshuar e deformuar me kalimin e kohës.
Allahu ua ka bërë të ditur njerëzve lajmin e përmbytjes së Nuhut nëpërmjet profetëve dhe librave që Ai u ka dërguar popujve të ndryshëm në mënyrë që ajo të shërbejë si paralajmërim dhe mësim. Por të gjitha tekstet e tjera, me përjashtim të Kuranit, janë ndryshuar, ndaj dhe përshkrimet e përmbytjes janë të mbushura me elemente mitologjike. Kurani është i vetmi burim, të dhënat e të cilit përputhen me të dhënat e zbulimeve dhe observimeve. Kjo, sepse Allahu e ka ruajtur Kuranin nga çdo lloj ndryshimi. Në Kuran thuhet:
Me të vërtetë Ne e kemi zbritur Kuranin dhe padyshim që Ne do ta ruajmë atë. (El-Hixhër: 9)
Pra, Kurani është nën garancinë dhe mbrojtjen e Allahut, Zotit të botëve.
Në pjesën e fundit të këtij kapitulli ne do të shohim se si është paraqitur ngjarja, megjithëse e deformuar, në kultura të ndryshme si dhe në Dhiatën e Vjetër dhe atë të Re.
Përmbytja e Nuhut në Dhiatën e Vjetër
Libri që iu shpall Musait ishte Teurati apo Torah. Pentateuku biblik (pesë librat e parë të Biblës), i cili sipas të krishterëve është Teurati, e ka humbur lidhjen prej kohësh me shpalljen origjinale, pasi të gjitha shpalljet e ardhura te Beni Israilët nga profetët e ndryshëm u ndryshuan dhe u bënë subjekt manipulimesh nga ana e çifutëve.
Sipas Dhiatës së Vjetër, Zoti i shpalli Nuhut se të gjithë njerëzit përveç besimtarëve do të shkatërroheshin, sepse toka ishte mbushur plot me padrejtësi. Për këtë arsye, Ai e urdhëroi Nuhun të ndërtonte anijen dhe i tregoi në detaje mënyrën se si do ta ndërtonte. Ai gjithashtu e porositi të merrte me vete familjen, tre djemtë, gratë e tyre, një çift nga çdo qenie e gjallë dhe ushqime.
Shtatë ditë më vonë, kur erdhi koha e përmbytjes, të gjitha burimet e nëndheshme shpërthyen, portat e qiejve u hapën dhe një përmbytje e madhe përfshiu gjithçka. Kjo zgjati për 40 ditë dhe net. Anija lundroi mbi ujërat që mbuluan të gjitha malet dhe kodrat e larta. Kështu, vetëm ata që ishin në anije me Nuhun shpëtuan, kurse ata që mbetën u rrëmbyen nga ujërat e përmbytjes dhe u mbytën. Shiu pushoi pas përmbytjes, e cila zgjati 40 ditë dhe net dhe ujërat filluan të pakësoheshin 150 ditë pas kësaj.
Më pas, në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të shtatë, anija qëndroi mbi malet Ararat (Agri). Nuhu dërgoi një pëllumb të shihte nëse ujërat kishin rënë plotësisht apo jo dhe, kur më në fund, pëllumbi nuk u kthye, ai e kuptoi se ujërat kishin rënë plotësisht. Zoti u tha atyre të zbrisnin nga anija dhe të shpërndaheshin në tokë.
Sipas Dhiatës së Vjetër, në pajtim me vendimin që "çdo gjë që (është) në tokë do të vdesë" në një përmbytje që do të përfshinte gjithë botën, të gjithë njerëzit u ndëshkuan dhe të vetmit që mbijetuan ishin ata që hipën në anije me Nuhun.
Përmbytja e Nuhut në Dhiatën e Re
Dhiata e Re që ne kemi sot në dorë pëmban, sipas pretendimit të krishterë, fjalët dhe veprimet e Isait (Jezusit). Ajo fillon me katër ungjijtë e shkruar një shekull pas vdekjes së Isait, nga njerëz që kurrë nuk e kishin parë apo qëndruar me të.
Në Dhiatën e Re përmbytja e Nuhut është përshkruar shkurtimisht kështu:
Nuhu u dërgua te një popull i pabindur, i cili ishte në rrugë të gabuar. Por populli i tij nuk pranoi ta ndiqte atë. Për këtë arsye, Zoti i paralajmëroi ata që refuzuan se do të përmbyteshin dhe, kur kjo ndodhi, Ai e shpëtoi Nuhun dhe besimtarët duke i vendosur në anije.
Por ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët para përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë; Dhe nuk kuptuan asgjë, derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut. (Mateu, 24: 37-39)
Dhe nuk kurseu botën e lashtë, por shpëtoi bashkë me shtatë të tjerë Noeun, predikues të drejtësisë, kur solli përmbytjen e të pabesëve. (II Pjetri, 2: 5)
Që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndësa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsej tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit. (I Pjetër, 3: 20)
Përshkrimi i përmbytjes në kultura të tjera
Sumeriane:Një zot i quajtur Enlil u tha njerëzve se zotat e tjerë kishin ndërmend të shkatërronin njerëzimin, por ai vetë ishte i gatshëm t'i shpëtonte ata. Heroi i kësaj historie është Ziusudra, mbreti i devotshëm i qytetit Sipur. Zoti Enlil i tregoi Ziusudras se çfarë të bënte që të shpëtonte nga përmbytja. Teksti që tregon ndërtimin e anijes mungon, por fakti që kjo pjesë ka ekzistuar tregohet në pjesët ku përshkruhet si u shpëtua Ziusudra. Duke u mbështetur në versionin babilonas të përmbytjes, arrihet në konkluzionin se në versionin e plotë sumerian të ngjarjes duhet të ketë pasur shumë më tepër hollësi për arsyen e përmbytjes dhe se si u ndërtua anija.
Babilonase: Ut-Napishtimi, është kolegu babilonas i heroit sumerian të përmbytjes, Ziusudras. Një tjetër personalitet i rëndësishëm është Gilgameshi. Sipas legjendës, Gilgameshi vendosi të kërkojë prejardhjen e tij për të njohur sekretin e përjetësisë. Ai u paralajmërua për rreziqet dhe vështirësitë e një udhëtimi të tillë. Atij iu tha se duhet të bënte një udhëtim, në të cilin duhet të kalonte mbi "malet Mashu dhe ujërat e vdekjes" dhe se një udhëtim i tillë ishte realizuar me sukses deri atëherë vetëm nga zoti i diellit, Shamash. Por Gilgameshi i përballoi të gjitha rreziqet e udhëtimit dhe më në fund arriti të takonte Ut-Napishtimin.
Teksti ndërpritet aty ku tregohet takimi i Gilgameshit me Ut-Napishtimin dhe kur më vonë teksti bëhet i lexueshëm, Ut-Napishtimi i tha Gilgameshit se "perënditë e kanë ruajtur për vete sekretin e vdekjes dhe jetës". Gilgameshi e pyeti Ut-Napishtimin se si e kishte arritur ai vetë pavdekshmërinë dhe Ut-Napishtimi i tregoi historinë e përmbytjes si përgjigje të pyetjes së bërë. Përmbytja tregohet gjithashtu në 12 rrasat e famshme të epikës së Gilgameshit.
Ut-Napishtimi ia nisi duke thënë se historia që do t'i tregonte Gilgameshit ishte "diçka sekrete, një sekret i perëndive". Ai ishte nga qyteti i Shurupakut, i cili ishte më i vjetri ndërmjet qyteteve të tokës Akad. Sipas përshkrimit të tij, zoti Ea e thirri nëpërmjet mureve të një kasolleje të thurur me kallama dhe i tregoi se zotat kishin vendosur të shkatërronin të gjitha farat e jetës me një përmbytje, por arsyeja e vendimit të tyre nuk shpjegohet në versionin babilonas, ashtu siç nuk shpjegohet as në versionin sumerian. Ut-Napishtimi tha se Ea e kishte porositur të ndërtonte një anije, në të cilën ai duhet të mblidhte dhe të vendoste "farat e të gjitha gjallesave". Ai e njoftoi atë për masën dhe formën e anijes, gjerësia, gjatësia dhe lartësia e së cilës duhet të ishin të barabarta. Furtuna ktheu gjithçka përmbys për gjashtë ditë dhe net rresht. Në ditën e shtatë ajo u qetësua. Ut-Napishtimi pa se jashtë vendi ishte kthyer në "baltë që ngjitej". Anija qëndroi në malin Nisir.
Sipas shënimeve sumeriane dhe babilonase, Ksisuthros ose Hasisatra u shpëtua nga përmbytja në një anije 925 m të gjatë, bashkë me familjen, shokët dhe disa zogj e kafshë. Thuhet se "ujërat u përhapën në drejtim të qiellit, oqeanet mbuluan brigjet dhe lumenjtë vërshuan nga shtretërit e tyre". Më pas, anija qëndroi mbi malin Karidean.
Sipas shënimeve asiriano-babilonase, Uber-Tutu ose Hasisatra u shpëtua bashkë me familjen e tij, shërbëtorët, tufën dhe kafshët e egra me një anije, e cila ishte 600 kubit e gjatë, 60 kubit e gjerë dhe e lartë. Përmbytja zgjati për 6 ditë e net. Kur anija arriti malin Nizar, pëllumbi që u la i lirë u kthye, ndërsa korbi jo.
Sipas disa shënimeve sumeriane, asiriane dhe babilonase, Ut-Napishtimi me familjen e tij mbijetoi nga përmbytja, e cila zgjati për 6 ditë e net. Thuhet se "në ditën e shtatë Ut-Napishtimi pa jashtë. Gjithçka ishte shumë e qetë. Njeriu ishte kthyer edhe një herë në baltë". Kur anija qëndroi mbi malin Nizar, Ut-Napishtimi dërgoi jashtë një pëllumb, një korb dhe një harabel. Korbi qëndroi të hante kufomat, ndërsa dy zogjtë e tjerë nuk u kthyen.
Indiane: Në epikat Shatapatha Brahmana dhe Mahabharata të Indisë, personi i quajtur Manu u shpëtua nga përmbytja bashkë me Rishizin. Sipas legjendës, Manu kapi një peshk, të cilit i fali jetën. Papritur peshku u rrit dhe i tha atij të ndërtonte një anije dhe ta lidhte në brirët e tij. Ky peshk u pranua si një shfaqje e zotit Vishnu. Peshku e drejtoi anijen midis dallgëve të mëdha dhe e solli atë në veri, në malin Hismavat.
Uellsiane: Sipas legjendës uellsiane, Dujnuen dhe Dujfeç shpëtuan prej shkatërrimit të madh me anije. Kur përmbytja e tmerrshme që ndodhi për shkak të vërshimit të Linlionit, i cili quhej Liqeni i Valëve, u qetësua, ata të dy filluan të ripopullonin sërish Britaninë.
Skandinave: Legjendat nordike Edda njoftojnë se Bergalmir dhe gruaja e tij shpëtuan prej përmbytjes me një anije të madhe.
Lituaneze: Në legjendën lituaneze, tregohet se disa çifte njerëzish dhe kafshësh shpëtuan, duke u strehuar në një kore të tokës, lart në majë të një mali të lartë. Kur erërat dhe vërshimet që zgjatën për 12 ditë e net u shtrinë deri në malin e lartë, sa pothuajse arritën t'i përpinin ata që ishin mbi të, Krijuesi u hodhi atyre një lëvozhgë arre gjigande. Ata që ishin në mal shpëtuan nga vdekja duke lundruar mbi këtë lëvozhgë arre.
Kineze: Burimet kineze tregojnë se një person i quajtur Jao me 7 persona të tjerë ose Fa Li bashkë me gruan dhe fëmijët e tij shpëtuan nga përmbytja dhe nga dridhja e tokës duke lundruar mbi barkë. Thuhet se "toka po shkatërrohej, ujërat shpërthyen dhe mbuluan çdo vend". Më në fund ujërat u tërhoqën.
Përmbytja e Nuhut në mitologjinë greke: Zeusi vendosi t'i shkatërronte me një përmbytje njerëzit, të cilët bënin çdo ditë e më tepër vepra të këqija. Vetëm Deukalioni dhe gruaja e tij, Pirrha, shpëtuan nga përmbytja, sepse babai i Deukalionit, Prometeu, e kishte këshilluar më parë djalin e tij që të ndërtonte një barkë. Çifti zbriti në malin Parnas ditën e nëntë pas hipjes në barkë.
Të gjitha këto legjenda tregojnë një realitet konkret historik. Në histori, çdo popull e ka marrë mesazhin, çdokush e ka marrë shpalljen hyjnore dhe kështu shumë popuj janë njohur me përmbytjen. Fatkeqësisht, për shkak se njerëzit u larguan nga rruga e drejtë e shpalljes hyjnore, përshkrimi i përmbytjes pësoi shumë ndryshime dhe u kthye në legjenda e mite.
I vetmi burim, ku ne mund të gjejmë historinë e vërtetë të Nuhut dhe të popullit që e mohoi atë, është Kurani, i cili është i vetmi burim hyjnor i pandryshuar.
Kurani na jep informacion të saktë, jo vetëm për përmbytjen e Nuhut, por edhe për popuj e ngjarje të tjera, për të cilat do të flasim në kapitujt vijues.