Hyrie: Gjeneratat e Kaluara
A nuk u ka ardhur atyre lajmi i popujve të mëparshëm? Lajmi i popullit të Nuhut, Adit, Themudit, popullit të Ibrahimit, banorëve të Medjenit dhe qyteteve të përmbysura (populli i Lutit), të cilëve u erdhën të dërguarit e tyre me argumente të qarta. Kështu pra, nuk është Allahu Ai, i Cili u bëri atyre padrejtësi, por ata vetë i bënë padrejtësi vetes së tyre..(Et-Teube: 70)
Mesazhi hyjnor i është komunikuar njerëzimit nëpërmjet profetëve që në fillimet e krijimit të tij. Reagimet e popujve kanë qenë të ndryshme. Disa popuj i kanë besuar profetët dhe e kanë pranuar mesazhin, ndërsa disa të tjerë e kanë mohuar atë tërësisht. Në disa popuj, një pjesë e vogël e shoqërisë e ndiqte të dërguarin, ndërsa pjesa tjetër vazhdonte rrugën e mosbindjes dhe mbante qëndrim armiqësor ndaj profetit dhe ndjekësve të tij. Të dërguarit, në përgjithësi, akuzoheshin si "gënjeshtarë, magjistarë, të çmendur dhe mendjemëdhenj". Madje disa popuj kanë arritur deri atje sa janë munduar edhe t'i vrasin të dërguarit, të cilët nuk kërkonin në shkëmbim të mundit të tyre shpërblime materiale apo përfitime personale.
Historia e Shuajbit dhe popullit të Medjenit, tek i cili ai u dërgua, ilustron mjaft mirë marrëdhëniet ndërmjet profetëve dhe popujve të tyre. Reagimi dhe përfundimi i popullit të Shuajbit është shumë interesant:
Në Medjen dërguam vëllain e tyre, Shuajbin. Ai u tha: "O populli im, adhuroni Allahun, ju nuk keni të adhuruar tjetër veç Tij! Mos u hani hakun njerëzve kur matni e peshoni. Unë ju shoh (se rroni) në mirëqenie, por në të vërtetë kam frikë për ju dënimin e një dite të afërt.
O populli im! Matni e peshoni me drejtësi, mos u hani hakun njerëzve dhe mos bëni rrëmujë e ligësi në tokë.
Ajo pjesë (e fitimit hallall) që jua ka lejuar Allahu është më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë. Dijeni se unë nuk jam vënë rojtar mbi ju."
Ata i thanë: "O Shuajb, a mos vallë namazi yt të mëson që ne të braktisim atë që kanë adhuruar baballarët tanë dhe të mos bëjmë ç'të duam me pasurinë tonë? Vërtet që ti je i duruar e i mençur.[ironi]"
Ai u tha: "O populli im, nëse unë kam argumente të qarta nga Zoti im dhe Ai më ka furnizuar me të mirat e Tij (si mund t'i përziej ato me fitim të paligjshëm?). Kur ju kundërshtoj, unë nuk dua të veproj atë që jua ndaloj juve ta bëni. Unë vetëm dëshiroj të rregulloj me aq sa kam mundësi, por suksesi im është në dorën e Allahut. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem i penduar.
O populli im, nuk dua që mospajtimi im me ju të bëhet shkak që të vuani fatin e popujve të Nuhut, Hudit apo Salihut. Mos harroni se populli i Lutit nuk është shumë larg prej jush!
Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar. Me të vërtetë që Zoti im është Mëshirëplotë dhe Mirëdashës."
Ata i thanë: "O Shuajb, ne nuk kuptojmë shumë gjëra nga ato që po na thua dhe, për më tepër, ti je një njeri i dobët mes nesh. Po të mos ishte për familjen tënde, ne do të të kishim vrarë me gurë, sepse ti nuk ke fuqi kundër nesh."
Ai u tha: "O populli im! A mos vallë familja ime është më e rëndësishme për ju se Allahu, të Cilin nuk e përfillni fare? Zoti im di gjithçka që veproni ju.
O populli im, punoni sa të mundeni, (ndërsa) unë po punoj (në rrugën time). Do ta merrni vesh më vonë se kush është gënjeshtar dhe mbi kë do të bjerë dënimi poshtërues! Pritni se edhe unë së bashku me ju jam duke pritur."
Kështu, kur erdhi urdhri Ynë, Ne me mëshirën Tonë e shpëtuam Shuajbin bashkë me besimtarët, ndërsa keqbërësit i kapi britma e fuqishme dhe ata u shndërruan në kufoma të ngrira në shtëpitë e tyre, sikur të mos kishin jetuar kurrë atje! Qoftë i shkatërruar Medjeni, ashtu siç u shkatërrua Themudi! ! (Hud: 84-95)
Për shkak të planeve djallëzore për të vrarë Shuajbin, faji i vetëm i të cilit ishte thirrja e popullit në diçka të mirë, populli i Medjenit u ndëshkua dhe u shkatërrua, ashtu siç u përshkrua në ajetet e mësipërme. Ky popull nuk është shembulli i vetëm, përkundrazi, sikurse tha dhe Shuajbi kur iu drejtua popullit të tij, shumë popuj të lashtë që kanë jetuar para popullit të Medjenit kanë pasur të njëjtin fat. Edhe më pas u shfaqën popuj të tjerë, të cilët ndoqën gjurmët e të parëve dhe merituan ndëshkimin e Allahut.
Në faqet që vijojnë ne do të flasim për disa prej këtyre popujve të zhdukur. Kurani i përshkruan me hollësi historitë e tyre, për t'iu drejtuar njerëzve një ftesë të hapur që të nxjerrin mësime nga përfundimi i tyre i tmerrshëm.
Në lidhje me këtë, Kurani u tërheq vëmendjen njerëzve se, megjithëse shumica e popujve të zhdukur kishin arritur një gradë të lartë civilizimi dhe zhvillimi, përsëri nuk mundën t'i shpëtonin dot ndëshkimit:
Sa shumë breza shkatërruam para tyre! Ata ishin më të fuqishëm se ata (idhujtarët e Mekes) dhe (kur erdhi dënimi Ynë) ata vrapuan për t'u fshehur nëpër tokë! Por, a mund të gjejnë vend për t'u fshehur?! (Qaf: 36)
Në këtë ajet janë përshkruar në mënyrë të veçantë dy karakteristika të këtyre popujve të zhdukur. E para, ata ishin "të fuqishëm". Kjo tregon se ata kishin vendosur sisteme të disiplinuara e të forta ushtarake në territorin ku jetonin. E dyta, këta popuj kishin themeluar qendra banimi të mëdha që shquheshin për mjeshtërinë arkitekturale.
Është për t'u vënë në dukje se këto dy karakteristika vihen re edhe në qytetërimin e sotëm, i cili ka formuar një kulturë botërore nëpërmjet teknologjisë dhe shkencës moderne dhe ka ngritur shtete të fuqishme e qytete gjigande, por nga ana tjetër mohon dhe injoron Zotin, duke harruar se gjithçka është bërë e mundur prej fuqisë së Tij. Fundi i qytetërimit të sotëm nuk ka se si të jetë i ndryshëm nga ai i shumë qytetërimeve të hershme, për sa kohë që do të bazohet mbi mohimin fetar dhe degjenerimin moral.
Një numër i madh i rasteve të shkatërrimit, disa prej të cilave janë përmendur në Kuran, janë konfirmuar nga kërkimet arkeologjike të bëra kohët e fundit. Këto zbulime, që vërtetojnë në mënyrë të qartë se ngjarjet e përmendura në Kuran kanë ndodhur me të vërtetë, hedhin dritë mbi nevojën e njerëzve për të nxjerrë mësime, e cila përmendet kaq shumë në Kuran, ku thuhet se është e nevojshme për njerëzit që të udhëtojnë në tokë dhe të shohin përfundimin e popujve më të hershëm.
Ne nuk kemi dërguar profetë para teje, përveçse burra nga gjiri i banorëve të tokës, të cilët Ne i frymëzuam me shpalljen hyjnore. Përse nuk udhëtojnë ata nëpër botë që të shohin si ka qenë fundi i mosbesimtarëve para tyre? S'ka dyshim se jeta e botës së ardhshme është më e mirë për ata të cilët e kanë frikë Allahun. A nuk kuptoni pra?
(Popujve të shkatërruar u shtyhej afati) derisa të dërguarit humbnin çdo shpresë për popullin e tyre dhe mendonin se ishin mohuar plotësisht. Atëherë tek ata vinte ndihma Jonë dhe Ne shpëtonim kë të dëshironim. Ndëshkimi Ynë nuk mund të shmanget nga populli i pabindur.
Vërtet, historitë e tyre shërbejnë si mësim për njerëzit që mendojnë. Ai (Kurani) nuk është përrallë e trilluar, por pohim dhe përforcim i librave të mëparshëm të Allahut, shtjellim i hollësishëm i gjithçkaje, udhëzues, përkujtim dhe mëshirë për një popull besimtar.(Jusuf: 109-111)
Me të vërtetë historitë e popujve të mëparshëm shërbejnë si shembull dhe mësim për ata njerëz që kanë arsye të shëndoshë. Shkatërrimi i këtyre popujve për shkak të rebelimit dhe refuzimit të urdhrave të Allahut na tregon se sa i dobët dhe i pafuqishëm është njeriu. Në faqet që vijojnë ne do t'i shqyrtojmë këta shembuj sipas radhës kronologjike.
Hiç yorum yok:
Yorum Gönder