Kapitulli 7: Populli i Sebeit dhe Përmbytja e Arimit
Vendbanimi i Sebeit ishte një argument i qartë për banorët e tij. Dy kopshte në të djathtë dhe në të majtë. "Hani nga begatia e Zotit tuaj dhe falenderoni (për) këtë vend të mirë dhe (për) një Zot falës të madh. Por ata u larguan (nga bindja ndaj Allahut), kështu që Ne çuam kundër tyre sejlul-arim (përmbytjen nga diga e ujit) dhe i shndërruam të dy kopshtet e tyre në toka që prodhonin fryte të këqija e të hidhura, drunj të thatë dhe pak bar të egër.(Sebe'ë: 15 – 16)
Populli i Sebeit është një nga katër qytetërimet më të mëdha që populluan Arabinë Jugore. Ky popull vlerësohet se është formuar aty midis viteve 1000–750 p.e.s. dhe është shkatërruar rreth viteve 550 e.s. nga sulmet që zgjatën për dy shekuj me radhë, të persianëve dhe arabëve.
Koha e formimit të qytetërimit të Sebeit është objekt i shumë diskutimeve. Populli i Sebeit nisi t'i regjistronte dokumentacionet qeveritare rreth vitit 600 p.e.s. Kjo është arsyeja përse nuk ka dokumente të tyre përpara kësaj date.
Shkrime të shkruara në gjuhën e popullit të Sebeit.
|
Burimet më të vjetra, të cilat i referohen popullit të Sebeit, janë kronikat vjetore të luftës që nga koha e mbretit asirian Sargon II (722 – 705 p.e.s.). Në shënimet që Sargoni shënonte për ata që i paguanin taksa atij, përmendet edhe mbreti i Sebeit, It'amara. Këto shënime janë burimi më i vjetër i shkruar që jep informacion për qytetërimin e Sebeit. Megjithatë nuk do të ishte e drejtë të arrish në përfundimin se kultura e këtij populli u formua rreth viteve 700 p.e.s., duke u mbështetur vetëm mbi këtë burim, sepse ka shumë mundësi që Sebei të ketë ekzistuar shumë kohë më parë se të regjistrohej dokumentacioni me anë të shkrimit. Kjo do të thotë se historia e Sebeit mund të jetë shumë e hershme. Në mbishkrimet e Arad–Nanmar, një prej mbretërve të fundit të shtetit të Urit, është përdorur fjala Sabum, e cila mendohet se do të thotë "vendi i Sebeit".39 Në qoftë se kjo fjalë ka me të vërtetë këtë kuptim, atëherë historia e Sebeit ka nisur që në vitet 2500 p.e.s.
Të dhënat historike që flasin për Sebein zakonisht tregojnë se kultura e tij, ashtu si ajo e fenikasve, ishte e përqëndruar kryesisht në veprimtarinë tregtare. Këta njerëz zotëronin dhe administronin disa nga udhët tregtare që kalonin përmes Arabisë Veriore. Tregtarët sebeinë që transportonin mallrat e tyre në Mesdhe dhe në Gaza, duke kaluar përmes Arabisë Veriore, duhet t'i merrnin leje për kalim Sargonit II, sundimtarit të zonës ose t'i paguanin atij një taksë të caktuar. Kur sebeinët filluan t'i paguanin taksa mbretërisë asiriane, emri i tyre filloi të regjistrohej në shënimet e këtij shteti.
Sebeinët njihen në histori si një popull i qytetëruar. Në mbishkrimet e sundimtarëve të Sebeit janë përdorur shpesh fjalët "rindërtoj", "dedikoj" dhe "ndërtoj". Diga e Maribit, e cila është një nga monumentet më të rëndësishme të këtij populli, është një tregues i rëndësishëm i nivelit teknologjik që ky popull kishte arritur. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se fuqia ushtarake e Sebeit ishte e dobët, përkundrazi ushtria sebeine ishte një nga faktorët më të rëndësishëm që kontribuoi në mbijetesën e kulturës së këtij shteti për një periudhë të tillë kaq të gjatë.
Shteti sebein zotëronte një nga ushtritë më të forta në rajon. Në sajë të kësaj ushtrie, shteti ishte i aftë të ushtronte një politikë ekspansioniste. Sebeinët kishin pushtuar tokat e shtetit të vjetër Kataban dhe zotëronin shumë toka në Afrikë. Gjatë vitit 24 p.e.s., gjatë një ekspedite në Magrib, ushtria sebeine shpartalloi krejtësisht ushtrinë e Marcus Aurelius Gallus, guvernatorit romak të Egjiptit. Sebei mund të portretizohet si një shtet që ndiqte një politikë të moderuar, megjithatë nuk hezitonte të përdorte forcën kur ishte e nevojshme. Me kulturën e avancuar dhe ushtrinë e tij, shteti sebein ishte një nga superfuqitë e zonës në atë kohë.
Kjo ushtri jashtëzakonisht e fortë e shtetit sebein përshkruhet edhe në Kuran. Një shprehje e parisë sebeine e treguar në Kuran tregon besimin e madh që ata kishin në ushtrinë e tyre. Paria e popullit, duke iu drejtuar mbretëreshës, tha:
Ne kemi fuqi të madhe dhe mundësi të mëdha për luftë, por ty të takon urdhri. Kështu pra, mendo mirë se çfarë do të urdhërosh.(En-Neml: 33)
Kryeqyteti i Sebeit ishte Maribi, i cili ishte shumë i pasur falë pozitës së favorshme gjeografike. Kryeqyteti ishte shumë afër lumit Adana. Pika ku lumi arrinte malin Belak ishte shumë e përshtatshme për ndërtimin e një dige. Duke e shfrytëzuar këtë faktor, sebeinët ndërtuan një digë në këtë vend me qëllim që të ujisnin tokat e tyre. Ata arritën një nivel shumë të lartë mirëqenieje. Kryeqyteti Marib ishte një nga qytetet më të zhvilluara të kohës. Shkrimtari grek Plini, që e kishte vizituar atë zonë, e cila i kishte bërë shumë përshtypje, tregon se zona ishte shumë e gjelbëruar.40
Lartësia e digës në Marib ishte 16 m, gjerësia e saj ishte 60 m, ndërsa gjatësia 620 m. Sipas llogaritjeve, sipërfaqja totale që mund të vaditej nga diga ishte 9600 ha, prej të cilave 5300 ha i përkisnin ultësirës jugore, ndërsa pjesa e mbetur i përkiste ultësirës veriore. Këto dy ultësira përmenden në shkrimet sebeine si "Maribi dhe dy ultësirat".41 Shprehja "dy kopshte në të djathtë dhe në të majtë" në Kuran u referohet kopshteve mbresëlënëse dhe vreshtave në këto dy lugina. Në sajë të kësaj dige dhe sistemeve ujitëse, zona u bë e njohur si zona më pjellore e Jemenit. Francezi J. Holevy dhe austriaku Glaser vërtetuan nga dokumentet e shkruara se diga e Maribit ekzistonte që në kohët e lashta. Në këto dokumente të shkruara në dialektin Himer thuhet se kjo digë e bëri territorin shumë pjellor.
Diga u riparua disa herë gjatë shekujve V - VI e.s., megjithatë këto riparime nuk mundën ta parandalonin shkatërrimin e saj në vitin 542 e.s. Shkatërrimi i digës solli vërshimin e Arimit, të përmendur në Kuran, i cili shkaktoi dëme të mëdha. Vreshtat, kopshtet dhe fushat e kultivuara për qindra vjet u shkatërruan krejtësisht. Pas kësaj fatkeqësie populli sebein ra në një periudhë agonie, e cila shënoi dhe fundin e sundimit të tyre.
Me ndihmën e Digës së Maribit, e cila ishte ndërtuar nëpërmjet teknologjisë së avancuar, populli i Sebeit arriti një nivel të lartë zhvillimi dhe mirëqenieje. Tokat e tyre pjellore dhe kontrollimi i rrugëve tregtare ishin faktorët kryesorë që ndikuan në përparimin e tyre. Megjithatë, ata i kthyen shpinën Allahut në vend që t'i ishin mirënjohës për gjithë këto të mira, ndaj diga u shkatërrua dhe vërshimi i Arimit shkatërroi gjithçka.
|
Përmbytja e Arimit
Kur ekzaminojmë Kuranin në aspektin e të dhënave historike, vëmë re një saktësi tepër të madhe. Zbulimet arkeologjike dhe të dhënat historike pajtohen mjaft mirë me atë që tregohet në Kuran. Siç përmendet në ajetet kuranore, këta njerëz të cilët nuk ua vinin veshin këshillave të profetit të tyre dhe refuzonin besimin e Allahut u ndëshkuan në fund me një shkatërrim të tmerrshëm. Ky shkatërrim përshkruhet në Kuran si më poshtë:
Vendbanimi i Sebeit ishte një provë e qartë për banorët e tij: dy kopshte në të djathtë dhe në të majtë. "Hani nga begatia e Zotit tuaj dhe falenderoni (për) këtë vend të mirë dhe (për) një Zot falës të madh. Por ata u larguan (nga bindja ndaj Allahut), kështu që Ne çuam kundër tyre sejlul-arim (përmbytjen nga diga e ujit) dhe i kthyem të dy kopshtet e tyre në toka që prodhonin fryte të këqija e të hidhura, drunj të thatë dhe pak bar të egër. Kështu i ndëshkuam ata, sepse ishin jobesimtarë dhe mosmirënjohës. Kështu i shpërblejmë gjithmonë mosmirënjohësit. (Sebe'ë: 15 – 17)
Siç theksohet në ajetet e mësipërme, populli i Sebeit jetoi në një zonë të njohur për pamjen e saj të mahnitshme, për vreshtat e mëdha dhe për kopshtet plot hijeshi. I vendosur në rrugët tregtare, Sebei kishte standart shumë të lartë jetese dhe ishte një nga qytetet më të preferuara të kohës.
Në një vend të tillë ku niveli i jetesës dhe kushtet ishin kaq pozitive, ajo që duhet të kishte bërë populli sebein ishte të falenderonte Allahun për të mirat dhe begatitë që i kishte dhënë. Por ata nuk vepruan kështu. Ata pretenduan se ai vend u përkiste atyre dhe se ishin ata të cilët i bënë të mundura gjithë ato kushte të mrekullueshme. Ata preferuan të silleshin me mendjemadhësi në vend që të ishin të nënshtruar dhe mirënjohës ndaj Allahut. Për këtë shkak ata humbën gjithçka. Siç tregohet në ajet, përmbytja e Arimit shkatërroi gjithçka që ata kishin.
Sot, diga e famshme e sebeinëve nuk ekziston më. |
Diga e Maribit, rrënojat e së cilës shihen sipër, ishte një prej projekteve më të rëndësishme të sebeinëve. Kjo digë u shkatërrua për shkak të vërshimit të Arimit, i cili përmendet në Kuran dhe të gjitha zonat e kultivuara përreth u përmbytën. Për shkak të kësaj katastrofe, sebeinët humbën forcën e tyre ekonomike për një kohë shumë të shkurtër dhe u asimuluan.
|
Në Kuran, ndëshkimi i popullit të Sebeit njihet me emrin "sejlul-arim" që do të thotë "përmbytja e Arimit". Kjo shprehje e përdorur në Kuran na tregon gjithashtu mënyrën se si ndodhi shkatërrimi. Fjala "Arim" do të thotë digë ose pengesë. Shprehja "sejlul-arim" përshkruan një përmbytje që ndodhi me shembjen e kësaj dige. Duke u bazuar në termat e përdorura në Kuran për përmbytjen e Arimit, komentuesit e Kuranit kanë përcaktuar vendin dhe kohën e përmbytjes. Meududi shkruan në komentin e tij:
Kurani na tregon se mbretëresha e Sebeit dhe njerëzit e saj "adhuronin diellin në vend të Allahut", para se ajo të ndiqte Sulejmanin. Informacionet e marra nga mbishkrimet e lashta e vërtetojnë këtë fakt dhe tregojnë se këta njerëz adhuronin diellin dhe hënën në tempujt e tyre, një prej të cilëve mund të shihet në foton sipër.
|
Siç përmendet edhe në shprehjen "sejlul-arim", fjala "Arim" rrjedh nga fjala "arimen" e përdorur në dialektin arabiko-jugor, e cila do të thotë "digë, pengesë". Në gërmadhat e zbuluara nga gërmimet e bëra në Jemen u pa se kjo fjalë është përdorur shpesh me këtë kuptim. Psh, në mbishkrimet e shkruara me urdhër të sunduesit etiopian të Jemenit, Ebrehesë, pas restaurimit të murit të madh të Maribit në 542 dhe 543 p.e.s., kjo fjalë është përdorur herë pas here me kuptimin digë. Pra, shprehja "sejlul-arim" do të thotë "përmbytje, e cila ndodhi pas shkatërrimit të një dige".
"Dy kopshtet e tyre u shndërruan në dy kopshte që prodhonin fruta të këqija e të hidhura." (Sebe'ë: 16)
Kjo sepse pas shembjes së digës i gjithë vendi u përmbyt. Kanalet që u hapën nga sebeinët bashkë me murin që u ndërtua, duke ngritur barrierra midis maleve, u shkatërruan, ndërsa sistemi vaditës pushoi së ekzistuari. Si rezultat, territori, i cili ishte më parë tokë e begatë u kthye në xhungël. Nuk mbeti asnjë frut përveç disa pemëve të vogla që prodhonin fruta të ngjashme me qershitë. 42
Arkeologu i krishterë Werner Keller, autori i librit "Libri i Shenjtë kishte të drejtë", ka pranuar se përmbytja e Arimit ka ndodhur sipas përshkrimit të Kuranit. Ai ka shkruar gjithashtu se ekzistenca e një dige të tillë dhe shkatërrimi i tërë vendit nga shembja e saj vërteton saktësinë e informacionit të dhënë në Kuran për popullin e “dy kopshteve”.43
Pas përmbytjes së Arimit, zona nisi të kthehej në shkretëtirë dhe me zhdukjen e tokave bujqësore, sebeinët humbën burimin e tyre më të madh të fitimit. Njerëzit, të cilët nuk i kishin kushtuar vëmendje thirrjes së Allahut për të qenë mirënjohës ndaj Tij, u ndëshkuan me këtë fatkeqësi. Pas shkatërrimit të madh të shkaktuar nga vërshimi, populli filloi të shpërbëhej; sebeinët nisën t'i braktisnin shtëpitë e tyre dhe të emigronin në Arabinë Veriore, Mekë dhe Siri.44
Qyteti i Maribit, i cili dikur ishte vendbanimi i sebeinëve, tani është vetëm një gërmadhë e shkretuar. Pa dyshim, ai është një paralajmërim për të gjithë ata që përsërisin gabimin e sebeinëve, të cilët nuk kanë qenë të vetmit që janë ndëshkuar nga Allahu për të njëjtin shkak. Në suren El-Kehf tregohet historia e dy njerëzve, njëri prej të cilëve zotëronte dy kopshte të mëdha, megjithatë ai bëri të njëjtin gabim si sebeinët dhe i ktheu shpinën Allahut, duke menduar se çdo gjë e kishte arritur me mundin dhe forcën e vet:
Tregoju atyre shembullin e dy njerëzve, njërit prej të cilëve Ne i patëm dhënë dy kopshte me vreshta dhe ia patëm rrethuar me hurma arabe, ndërsa ndërmjet tyre patëm vendosur fusha të gjelbëruara.
Të dy kopshtet jepnin prodhime të bollshme pa asnjë humbje, ndërsa midis tyre Ne bëmë të rrjedhë një lumë.
Kështu, ai pati prodhime të bollshme e i tha shokut të tij, duke u mburrur: "Unë kam më shumë se ti pasuri dhe jam më i fortë e më i nderuar ndër njerëz."
Pastaj hyri në kopshtin e tij, ndërkohë që (me mosbesimin e tij) po i bënte dëm vetvetes dhe tha: "Nuk ma merr mendja që e gjithë kjo do të zhduket ndonjëherë.
Nuk besoj se Dita e Kijametit do të vijë ndonjëherë, por edhe nëse do të kthehem përsëri te Zoti im (ditën e gjykimit), sigurisht që do të gjej më tepër begati se kjo që kam tani."
Shoku i tij i tha duke e këshilluar: "Si po e mohon Atë që të krijoi nga dheu, pastaj nga një pikë uji, pastaj të bëri njeri të plotë?!
Sa për mua, unë besoj se Ai është Allahu, Zoti im dhe unë nuk i bëj shok Zotit tim në adhurim.
Do të ishte më mirë për ty të thoje kur hyre në kopshtin tënd: "Mashall-llah, ç'dëshiron Allahu bëhet". Nëse tani më sheh mua me më pak pasuri e fëmijë, mundet që Zoti im të më japë më tepër mirësi se kopshti yt dhe të dërgojë mbi të një rrufe nga qielli, pastaj të shndërrohet në tokë djerrë e të zhveshur.
Apo të shterojë ujin e tij dhe ti nuk do të kesh mundësi ta gjesh përsëri."
Kështu, kopshtet e tij u shkatërruan dhe ai mbeti duke rrahur shuplakat me keqardhje për çfarë kishte shpenzuar në to, ndërkohë që ajo (pasuri) u shkatërrua e gjitha që nga rrënjët. Ai vetëm mundi të thoshte: "Ah, sikur të mos i kisha bërë shok Zotit tim!"
Ai nuk gjeti asnjë grup njerëzish që t'i vinin në ndihmë kundër Allahut dhe as nuk ishte në gjendje të mbronte e të shpëtonte veten.
Atje (ditën e llogarisë) mbrojtja dhe sundimi i takojnë vetëm Allahut, Zotit të vërtetë. Ai është shpërblyesi më i mirë dhe vetëm tek Ai është përfundimi i mirë. (El-Kehf: 32 – 44)
Siç kuptohet nga ajetet, gabimi i pronarit të këtij kopshti nuk ishte mohimi i ekzistencës së Allahut. Ai nuk e mohonte Allahun, përkundrazi ai mendonte se nëse do të kthehej te Zoti i tij (Ditën e Gjykimit), sigurisht që do të gjente më tepër begati se ç'kishte në këtë botë. Ai krenohej duke thënë se gjendja, në të cilën kishte arritur, ishte rezultat i përpjekjeve të tij të suksesshme.
Kjo është pika ku duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë: Njeriu asnjëherë nuk duhet të pretendojë se sukseset dhe arritjet e tij janë rezultat vetëm i punës dhe përpjekjeve të tij, duke e mohuar tërësisht rolin e Allahu, Krijuesit të Gjithësisë.
Ky, pra, ishte gabimi i sebeinëve dhe i pronarit të dy kopshteve. Allahu i dënoi ata me të njëjtin dënim, me qëllim që ndëshkimi i tyre të shërbejë si mësim për ta dhe për të gjithë brezat që do të vijnë më pas.
Në shtylla gjenden mbishkrime të shkruara në gjuhën sebeine.
|
Fusnotat
39"Seba" Islam Ansiklopedisi: Islam Alemi, Tarihi, Cografya, Etnografya ve Bibliyografya Lugati, Vol. X, fq. 268 
41 "Marib", İslam Ansiklopedisi: İslam Alemi, Tarihi, Coğrafya, Etnoğrafya ve Bibliyografya Lugatı, Vol. VII, fq. 323-339..
Hiç yorum yok:
Yorum Gönder